Një qytetar i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një gjobë, e cila i është vendosur në rrugën e aeroportit të Rinasit, ndonëse thotë se nuk ka qenë në atë zonë prej më shumë se dy muajsh.
Qytetari, banues në Sarandë, tregon se dy ditë më parë, teksa po udhëtonte drejt Greqisë dhe ndodhej në pikën kufitare, është informuar nga punonjësit se në sistem figuron një gjobë e regjistruar në datën 26, për një shkelje të pretenduar në rrugën e aeroportit.
I habitur nga ky njoftim, ai ka hyrë në sistem për të shkarkuar dhe printuar dokumentacionin, me qëllim identifikimin e efektivit të policisë që kishte vendosur gjobën.
Sipas denoncuesit, në dokument figuron emri i punonjësit të policisë Briken Tereziu.
Pas kërkimeve në rrjetet sociale, qytetari ka gjetur edhe denoncime të tjera për policin në fjalë pasi në qershor të vitit 2024 ai është arrestuar së bashku me disa persona të tjerë, nën dyshimet për përfshirje në një grup kriminal, ku dyshohej se punonjës të Policisë së Shtetit lehtësonin kalimin e paligjshëm të shtetasve drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Tashmë, qytetari ngre dyshime mbi korrektësinë e gjobës dhe kërkon verifikimin e saj nga institucionet përgjegjëse. Ai këmbëngul se nuk ka qenë në aeroportin e Rinasit në periudhën kur pretendohet se është konstatuar shkelja.