Një lajm i gëzueshëm vjen nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ku është realizuar me sukses lindja e parë e një foshnje nga një shtatzëni e arritur përmes fertilizimit të asistuar (IVF) në këtë institucion publik.
Lindja është kryer me prerje cezariane në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, ndërsa lajmin e ka bërë të ditur drejtori i klinikës, Zef Ndrejaj.
Ai e cilësoi këtë moment si një arritje të rëndësishme për mjekësinë kosovare, duke theksuar se suksesi është rezultat i punës dhe përkushtimit të stafit mjekësor.
Kjo arritje sjell shpresë të re për shumë çifte që përballen me vështirësi për t'u bërë prindër, duke dëshmuar se shërbimet e fertilizimit të asistuar po zhvillohen edhe në sektorin publik të Kosovës.
Një jetë e re, një arritje e madhe dhe një shpresë më shumë për familjet që ëndërrojnë të kenë fëmijë!