Cristiano Ronaldo i ka dhënë fund një prej kapitujve më të rëndësishëm të karrierës së tij futbollistike, duke njoftuar tërheqjen nga Kombëtarja e Portugalisë pas 23 vitesh në shërbim të përfaqësueses luzitane.
Ylli portugez e bëri publik vendimin përmes një mesazhi emocionues në rrjetet sociale, ku falënderoi bashkëlojtarët, trajnerët, stafin teknik, familjen dhe miliona tifozë që e kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi.
“Erdhi dita për t'ia dorëzuar fanellën me numrin 7 së ardhmes. Për 23 vite pata privilegjin dhe përgjegjësinë ta vesh, ta mbroj dhe ta përfaqësoj në stadiumet e gjithë botës”, shkruan Ronaldo në mesazhin e lamtumirës.
41-vjeçari debutoi me Portugalinë në gusht të vitit 2003 dhe largohet si golashënuesi dhe futbollisti me më shumë paraqitje në historinë e kombëtares. Në 234 ndeshje të zhvilluara, ai ka shënuar 146 gola, duke vendosur rekorde që e kanë kthyer në një prej figurave më të mëdha të futbollit botëror.
Vendimi vjen pas tensioneve të krijuara muajt e fundit në marrëdhënien e tij me trajnerin Jorge Jesus, të cilat kulmuan me largimin e Ronaldos nga grumbullimi i kombëtares në Danimarkë dhe masën disiplinore të marrë nga federata portugeze.
Në mesazhin e tij, Ronaldo thekson se përtej golave, rekordeve dhe trofeve, kujtimi më i rëndësishëm i këtyre 23 viteve mbetet lidhja e krijuar me tifozët dhe popullin portugez.
“Golat kalojnë, kupat mbeten në muze, rekordet thyhen. Por ka diçka që koha nuk mund ta shuajë: vendi që zëmë në zemrat e njerëzve”, shprehet ai.
Në fund të mesazhit, ylli portugez thekson se largohet krenar për gjithçka ka dhënë për vendin e tij, por premton se do të vazhdojë ta mbështesë Portugalinë në çdo ndeshje.
“Do të vazhdoj të vuaj, të emocionohem dhe të festoj çdo fitore të Portugalisë me një ‘Siu’”, përfundon Ronaldo.
Me këtë vendim mbyllet një epokë për futbollin portugez, ndërsa kombëtarja humbet kapitenin, golashënuesin më të mirë të historisë dhe një prej ikonave më të mëdha që ka veshur ndonjëherë fanellën e saj.