Eduart Xhani është 21-vjeçari shqiptar që vrau me thikë nënën e tij, 39-vjeçaren Meleqe Lusha, në banesën e tyre në Chiari të Brescias, në Itali. Pas krimit të rëndë, i riu u largua me makinë, por disa orë më vonë u dorëzua në polici, ku edhe pranoi autorësinë e vrasjes.
Mediat italiane raportojnë se hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që probleme të shëndetit mendor të kenë ndikuar në veprimet e 21-vjeçarit. Edhe pse ai nuk rezulton të ketë qenë më parë nën trajtim për probleme të tilla, pritet t'i nënshtrohet një vlerësimi psikiatrik për të përcaktuar gjendjen e tij. Sipas hetimeve, Xhani nuk ka arritur të shpjegojë motivin e krimit dhe nuk ka shprehur pakënaqësi ndaj së ëmës.
Ndërkohë, fqinjët e familjes janë shprehur të tronditur nga ngjarja, duke e përshkruar të riun si një djalë të qetë dhe të sjellshëm. Ata kanë deklaruar se nuk kishin vënë re më parë sjellje problematike prej tij. Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi komunitetin shqiptar në Itali.