Një situatë shqetësuese është denoncuar lidhur me kushtet në të cilat punojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës. Pamjet e publikuara, ku shihen pantallonat dhe këpucët e dëmtuara të një polici, kanë rikthyer vëmendjen te mungesa e furnizimit të rregullt me uniforma për pjesëtarët e këtij institucioni.
Sipas denoncimit të një gazetareje që ka përcjellë këtë çështje, policët prej vitesh po përballen me mungesë të pajisjeve bazike, ndërsa disa prej tyre janë detyruar t'i blejnë vetë pantallonat, këpucët dhe pjesë të tjera të uniformës. Ka edhe raste kur zyrtarët policorë janë detyruar t'i riparojnë vetë uniformat e dëmtuara gjatë kryerjes së detyrës.
Problemi lidhet me zvarritjen disavjeçare të tenderëve për furnizimin me uniforma. Në vitin 2023, Policia e Kosovës nisi një proces prokurimi me vlerë të parashikuar prej 11 milionë e 351 mijë e 852 eurosh, por procedurat u shoqëruan me ankesa, pezullime dhe kontestime të vazhdueshme.
Përpjekjet për furnizim gjatë viteve 2024 dhe 2025 u përballën gjithashtu me probleme procedurale dhe anulime, duke e lënë të pazgjidhur mungesën e uniformave për policët në terren.
Në korrik të vitit 2026, u nënshkrua një kontratë e re në vlerë prej 10.64 milionë eurosh me grupin e kompanive EMPREUS SH.P.K., Seyntex dhe BOULEVARD SH.P.K. Megjithatë, furnizimi i rregullt i zyrtarëve me uniforma të reja vazhdon të mbetet problem, sipas raportimeve të fundit.
Situata ka prekur edhe gjeneratën e re të policëve, të cilëve mungesa e uniformave u shkaktoi probleme në organizimin e ceremonisë së diplomimit.
Ndërkohë, ngrihen pikëpyetje serioze për përgjegjësinë institucionale, pasi nga policët kërkohet të garantojnë rendin dhe sigurinë e qytetarëve, ndërsa vetë ata përballen me mungesë të pajisjeve elementare të punës.
A është e pranueshme që një polic, i cili çdo ditë rrezikon jetën për sigurinë e qytetarëve, të detyrohet t'i blejë vetë pantallonat dhe këpucët e uniformës, ndërkohë që tenderët kapin vlera miliona euro?