Një shembull i jashtëzakonshëm solidariteti ka ardhur nga komuniteti shqiptar në Zvicër, ku brenda një mbrëmjeje janë mbledhur plot 635 mijë franga zvicerane për blerjen e një objekti që do të shërbejë si Xhamia e Santimirit.
Sipas imamit Bekim Alimi, komuniteti shqiptar në këtë zonë numëron vetëm rreth 40 familje, ndaj sigurimi i një shume kaq të madhe konsiderohej një sfidë e vështirë financiare.
Megjithatë, falë bashkimit dhe solidaritetit, rreth 120 persona morën pjesë në mbrëmjen e organizuar për mbledhjen e fondeve. Me kontributin e tyre dhe ndihmën e donatorëve të tjerë, u arrit të sigurohej e gjithë shuma e nevojshme.
Objekti që synohet të shndërrohet në xhami ka një sipërfaqe të përdorshme prej rreth 400 metrash katrorë dhe ndodhet në një truall prej 2.100 metrash katrorë.
Ky mobilizim i shqiptarëve në diasporë tregon edhe një herë forcën e bashkimit dhe gatishmërinë e komunitetit për të kontribuar në realizimin e nismave të përbashkëta.
Një komunitet me vetëm 40 familje, por me një solidaritet që arriti të mbledhë 635 mijë franga brenda një nate!