“Dy policët u plagosën duke na mbrojtur”, dëshmitari rrëfen tmerrin me 47-vjeçarin gjerman

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.11.2026, 00:55

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të treguar më shumë detaje nga ngjarja e rëndë e 31 tetorit në Malësinë e Madhe, ku një 47-vjeçar me shtetësi gjermane plagosi me thikë dy efektivë policie gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij.

Qytetari, i cili thotë se ka qenë dëshmitar i gjithë ngjarjes dhe personi që ka njoftuar Policinë, tregon se gjithçka nisi rreth orës 17:25, kur ndodhej pranë një karburanti në afërsi të Hanit të Hotit. Sipas tij, 47-vjeçari Jan-Friedrich Krebs i hodhi një bidon metalik të mbushur me benzinë mbi makinën e tij, duke e spërkatur dhe dëmtuar automjetin. Më pas tentoi ta godiste edhe me një mjet elektrik, të ngjashëm me shkopin e gomës.

Dëshmitari tregon se gjermani u largua me makinë në drejtim të Shkodrës, duke kryer manovra të rrezikshme dhe duke rrezikuar automjetet e tjera. Ai u ndal më pas pranë një karburanti, ku, sipas qytetarit, sulmoi edhe automjete të tjera, theu xhamin e një makine të parkuar dhe kërcënoi me thikë punonjësin e karburantit dhe personat që ndodheshin në një lokal aty pranë.

Qytetari thotë se telefonoi vetë Policinë dhe se patrulla mbërriti për më pak se pesë minuta. Sipas dëshmisë së tij, efektivët i kërkuan 47-vjeçarit të ulte armët dhe të dorëzohej, por gjatë ndërhyrjes ai arriti të plagoste dy prej tyre, një në këmbë dhe tjetrin në zonën e brinjëve.

“Edhe pse ishin të gjakosur, asnjëri nga policët nuk u tërhoq derisa e vunë në pranga dhe siguruan që askush tjetër të mos rrezikohej”, tregon dëshmitari, i cili vlerëson ndërhyrjen e efektivëve dhe thotë se ata rrezikuan jetën për të mbrojtur qytetarët.

Ai shton se gjatë kontrollit të automjetit në komisariat u gjetën edhe pesë thika, tre shkopinj gome dhe një pajisje e ngjashme me hark që lëshon shigjeta. Sipas tij, sendet u fotografuan nga oficerët e Policisë gjatë kontrollit.

Edhe Policia konfirmoi se 47-vjeçari kishte refuzuar të identifikohej dhe kishte goditur me thikë dy efektivët gjatë ndërhyrjes në fshatin Pjetroshan, përpara se të neutralizohej dhe të shoqërohej në komisariat.

Në fund, ai kërkon që dy efektivët e plagosur të mos harrohen, duke i cilësuar heronj për mënyrën se si ndërhynë për të mbrojtur qytetarët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit