Goditet rrjeti ndërkombëtar i mashtrimeve me Call Center-a, kontrolle edhe në Kosovë: 7 të arrestuar dhe mbi 4 milionë euro dëme

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 03.11.2026, 16:48

Një operacion i madh ndërkombëtar kundër mashtrimeve përmes Call Center-ave ka përfshirë edhe Kosovën, ku autoritetet kanë kryer kontrolle në kuadër të një aksioni të koordinuar nga Eurojust dhe Europol.

Shtatë persona janë arrestuar, 17 lokacione janë kontrolluar dhe mbi 100 serverë janë sekuestruar, ndërsa dëmet financiare nga skema e dyshuar e mashtrimit llogariten në mbi 4 milionë euro.

Operacioni është zhvilluar në Kosovë, Shqipëri, Gjermani, Qipro, Finlandë, Izrael dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas hetimeve, rrjeti përdorte platforma të rreme investimi në kriptovaluta, aksione dhe valuta të huaja, duke u premtuar qytetarëve fitime të shpejta dhe të mëdha. Viktimat fillimisht bindeshin të investonin shuma të vogla, ndërsa më pas nxiteshin të transferonin gjithnjë e më shumë para. Kur kërkonin t'i tërhiqnin fitimet, përballeshin me pengesa, derisa personat përgjegjës zhdukeshin me paratë.

Hetimet kishin nisur në vitin 2022, pas denoncimit të një çifti gjerman që kishte humbur kursimet përmes një platforme të tillë.

Gjatë operacionit të fundit, kontrolle janë kryer edhe në një Call Center në Kosovë, ku janë mbledhur prova që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal.

Autoritetet kanë zbuluar gjithashtu një kompani me seli në Qipro dhe Izrael, e cila dyshohet se furnizonte grupe kriminale me platforma mashtruese online. Mes klientëve të dyshuar të saj përmenden edhe subjekte në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Në operacion kanë marrë pjesë Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.

Shtatë të arrestuarit pritet t'u dorëzohen autoriteteve gjermane, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit kriminal vazhdojnë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit