Grabitja e bankës së nivelit të dytë në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku u morën rreth 60 mijë euro, zgjati vetëm tre minuta. Hetuesit kanë ngritur dyshime për një person që mendohet se ka vëzhguar bankën përpara grabitjes, por deri më tani nuk ka prova që konfirmojnë përfshirjen e tij në ngjarje.
Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me dyshimet se autori kishte informacion të saktë për vendndodhjen e parave brenda bankës. Kjo ka ngritur pikëpyetje nëse ai ka pasur ndihmën e personave të tjerë, përfshirë mundësinë e përfshirjes së ndonjë punonjësi të bankës. Megjithatë, kjo mbetet një pistë hetimore dhe nuk ka ende konfirmime zyrtare për bashkëpunëtorë të mundshëm.
Policia po shqyrton gjithashtu mundësinë që i njëjti person të ketë kryer edhe grabitjen e një banke tjetër në muajin qershor, në një zonë jo shumë larg Komunës së Parisit. Dyshimet lidhen me faktin se në të dyja rastet autori dyshohet se ka humbur gjurmët në të njëjtin vend. Grupi hetimor po verifikon këtë pistë, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe zbardhjen e plotë të mënyrës se si u realizua grabitja.