Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen e rënduar të rrugës në lagjen “Rezidenca Oasis”, në Astir, pranë xhamisë.
Sipas denoncimit, prej më shumë se një viti, rruga ndodhet në gjendje të amortizuar, ku janë hapur dy gropa të mëdha, duke ua vështirësuar ndjeshëm lëvizjen banorëve.
Qytetari shprehet se dalja nga banesat është kthyer në një problem të përditshëm, pasi detyrohen të kalojnë nëpër një rrugë shumë të ngushtë, ku mezi mund të kalojë një automjet.
Banorët shprehin indinjatën e tyre, duke theksuar se, pavarësisht çmimeve të larta të banesave, të cilat sipas tyre arrijnë deri në 2 mijë euro për metër katror, nuk kanë as infrastrukturën minimale për të hyrë dhe dalë normalisht nga lagjja.
Më tej, qytetari pretendon se leja dhe tenderi për ndërhyrjen në këtë rrugë janë miratuar, por pavarësisht premtimeve të vazhdueshme se punimet do të nisin, deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete.
Banorët i bëjnë thirrje Bashkisë së Tiranës që të ndërhyjë sa më parë dhe të nisë punimet për rehabilitimin e rrugës.
Deri kur duhet të presin banorët për një rrugë normale? Mos vallë duhet të presin deri në fushatën e ardhshme zgjedhore që problemi i tyre të marrë vëmendjen e duhur?
Ata kërkojnë zgjidhje konkrete dhe jo premtime të tjera!