Reforma e re e propozuar nga qeveria britanike mund të prekë mijëra emigrantë, mes tyre edhe shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Ndryshimet parashikojnë zgjatjen e afatit për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm, por ende nuk është vendosur nëse do të zbatohen edhe për personat që ndodhen aktualisht në vend.
Plani i qeverisë synon të ashpërsojë kriteret për përfitimin e statusit Indefinite Leave to Remain (ILR), i cili u jep të huajve të drejtën të jetojnë dhe punojnë pa afat në Britani.
Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, pritet të publikojë detaje të mëtejshme të reformës. Një nga kategoritë që mund të preket më shumë është ajo e punonjësve të huaj në sektorin e kujdesit social, për të cilët periudha e pritjes mund të zgjatet nga pesë në 15 vjet.
Megjithatë, qeveria po shqyrton mundësinë e përjashtimeve për emigrantët që kanë hyrë ligjërisht në vend dhe kanë nisur të plotësojnë kushtet sipas rregullave aktuale.
Debati për zbatimin e rregullave të reja
Një nga çështjet më të diskutueshme është nëse ndryshimet do të prekin edhe emigrantët që jetojnë prej vitesh në Britani. Ish-sekretarja e Strehimit, Angela Rayner, ka kundërshtuar mundësinë e zbatimit prapaveprues, duke e cilësuar një praktikë të tillë si “jo britanike”.
Nga ana tjetër, ministrja Mahmood ka argumentuar se sistemi i emigracionit ka nevojë për reformim, pasi rritja e emigracionit të ligjshëm pas Brexit-it ka sjellë sfida të reja për vendin.
Sipas vlerësimeve të saj, përfitimet sociale që mund të marrin emigrantët gjatë jetës mund t'u kushtojnë deri në 10 miliardë paund taksapaguesve britanikë.
Mahmood ka bërë gjithashtu të ditur se rreth 350 mijë punonjës me kualifikim të ulët, së bashku me familjarët e tyre, të ardhur përmes vizave të shëndetësisë dhe kujdesit social, pritet të fitojnë të drejtën për të aplikuar për qëndrim të përhershëm gjatë pesë viteve të ardhshme.
Çfarë do të thotë kjo për emigrantët shqiptarë?
Ndryshimet e propozuara mund të ndikojnë edhe te mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithçka do të varet nga lloji i vizës, statusi aktual dhe rregullat kalimtare që do të miratohen.
Shqetësimi kryesor lidhet me personat që janë pranë përfundimit të periudhës pesëvjeçare të qëndrimit. Ende nuk dihet nëse ata do të mund të aplikojnë sipas kushteve ekzistuese apo do t'u duhet të përballen me afatet e reja.
Propozimet janë pjesë e një konsultimi publik njëvjeçar, gjatë të cilit janë marrë më shumë se 200 mijë përgjigje.
Vendimi përfundimtar i qeverisë pritet të sqarojë se cilat kategori do të preken nga reforma, sa do të zgjasë periudha e re e pritjes dhe nëse do të ketë përjashtime për emigrantët që jetojnë aktualisht në Britani.