Sipas Monitor, ndryshimet parashikojnë gjithashtu heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburanteve dhe transferimin e saj te taksat vjetore të automjeteve. Sipas shembujve të dhënë nga Ministria e Financave, një automjet me naftë, i prodhuar në vitin 2013 dhe me cilindratë 2,000 cc, do të paguajë 18 mijë lekë në vit, nga 9 mijë lekë aktualisht. Ndërkohë, për automjetet luksoze taksa vjetore propozohet të rritet nga 21 mijë në 40 mijë lekë. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit në Shqipëri kanë hyrë rreth 2.6 milionë automjete me targa të huaja.
Sipas parashikimeve të paketës fiskale, zhvendosja e taksës së qarkullimit nga karburantet te automjetet pritet të rrisë të ardhurat nga taksat e mjeteve me 7.2 miliardë lekë, duke i çuar ato nga 26.6 në 33.8 miliardë lekë. Nga ana tjetër, çmimi i karburanteve pritet të ulet me rreth 32.3 lekë për litër, ndërsa efekti neto i masës në të ardhurat e shtetit vlerësohet me një rënie prej 5 miliardë lekësh, sipas relacionit të projektligjit.