Rama ‘çudit’ gazetarin amerikan: Mafia shqiptare nuk ekziston, janë gjepura!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.11.2026, 21:22

Kryeministri Edi Rama duket se ka një shpjegim të thjeshtë për raportimet ndërkombëtare mbi fuqizimin e grupeve kriminale shqiptare në trafikun e kokainës: mafia shqiptare nuk ekziston dhe të gjitha këto janë thjesht gjepura!

Gjatë një interviste me gazetarin amerikan Andrew Callaghan, në emisionin “Channel 5”, Rama u përball me pyetje mbi protestat në Shqipëri, shtrirjen e grupeve kriminale shqiptare në tregjet ndërkombëtare dhe dyshimet për pastrimin e parave përmes ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.

Kur gazetari i përmendi raportet e DEA-s, informacionet e SPAK-ut dhe aktivitetin e grupeve shqiptare në tregje si Londra, Izraeli dhe portet e Ekuadorit, Rama reagoi duke e pyetur: “Kush e thotë këtë?”.

Callaghan vijoi duke i renditur burimet dhe informacionet mbi këto rrjete kriminale, por kryeministri nuk u bind. Përkundrazi, ai deklaroi se nuk ekziston një mafia shqiptare që kontrollon tregun botëror të kokainës.

“Ka shqiptarë, ashtu siç ka amerikanë, spanjollë apo italianë, që janë të përfshirë në këtë zinxhir mbarëbotëror. Por nuk ka asgjë si një mafia shqiptare që kontrollon botën e kokainës. Këto gjëra janë, më falni, gjepura”, u shpreh Rama.

Gazetari e pyeti se nga vinin këto pretendime, ndërsa kryeministri zgjodhi një argument që duket se për të duhet t'i japë fund çdo diskutimi: një bisedë që, sipas tij, kishte zhvilluar me drejtuesin e SPAK-ut.

“Ky nuk është një opinion. Po ju them që vetë drejtori i SPAK-ut më ka thënë se mafia shqiptare nuk ekziston”, deklaroi ai.

Por Callaghan nuk u ndal me kaq. Ai kaloi te një tjetër çështje delikate, duke i përmendur Ramës të dhënat mbi diferencën mes vlerës së ndërtimeve në Shqipëri dhe burimeve të identifikuara të financimit gjatë viteve 2015-2024.

Edhe këtë herë kryeministri kundërshtoi mënyrën se si gazetari ia atribuoi shifrat SPAK-ut, duke këmbëngulur se institucioni nuk kishte raportuar atë që po i përmendej në intervistë.

Pra, ndërsa gazetari përpiqej të merrte përgjigje për raportet mbi krimin e organizuar dhe paratë me burim të dyshimtë në ekonominë shqiptare, Rama kishte një përgjigje të gatshme: mafia shqiptare nuk ekziston, janë gjepura!

Intervista ishte zhvilluar disa javë më parë dhe vjen pas një tjetër episodi të raportuar nga vetë “Channel 5”, sipas të cilit Rama e kishte ndërprerë bisedën dhe ishte larguar përpara përfundimit të saj, në momentin kur diskutimi ishte përqendruar te korrupsioni, pastrimi i parave, trafiku i drogës dhe marrëdhënia e tij me Jared Kushner.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit