Tronditëse në Gjilan: 65-vjeçari dyshohet se vrau djalin pas sherrit, foshnja 3-muajshe dyshohet se u vra nga babai i saj!
Detaje të reja tronditëse janë zbardhur nga tragjedia në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku më 1 nëntor u gjetën të pajetë një 27-vjeçar dhe vajza e tij vetëm 3 muajshe.
Gjykata Themelore në Gjilan ka vendosur një muaj paraburgim për 65-vjeçarin Brahim Demiri, i dyshuar për vrasjen e djalit të tij pas një konflikti fizik brenda banesës.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur gjatë natës së 1 nëntorit, pas orës 00:27 deri në orët e mëngjesit. Dyshohet se 65-vjeçari, pas një përleshjeje fizike, i ka marrë jetën të birit 27-vjeçar.
Por detaji më tronditës lidhet me foshnjën 3-muajshe. Sipas njoftimit të Gjykatës, vajza e vogël është gjetur e pajetë në shtratin e babait të saj, me shenja dhune në trup dhe njolla gjaku në vendngjarje. Prokuroria ka ngritur dyshimin se foshnja mund të jetë vrarë nga vetë babai i saj 27-vjeçar, përpara se ky i fundit të humbiste jetën.
Ndaj 65-vjeçarit rëndojnë dyshimet për veprat penale "Vrasje e rëndë" dhe "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve".
Gjykata ka arsyetuar se paraburgimi është i nevojshëm për të shmangur mundësinë që i dyshuari të ndikojë te dëshmitarët dhe të pengojë procesin hetimor.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie familjare, që u mori jetën dy personave, mes tyre një foshnjeje vetëm 3 muajshe. Dyshimet e Prokurorisë ende nuk përbëjnë fakte të provuara me vendim gjyqësor.