Mes nëntë viktimave të aksidentit tragjik me avionin privat Learjet 60 në Florida është edhe 20-vjeçarja Nathalia Gadelha Filgueiras, e cila ishte bashkëpilote në fluturimin fatal. Identiteti i saj u konfirmua nga nëna dhe njerku për gazetën amerikane “New York Post”.
Historia e të resë ka tërhequr vëmendje të veçantë, pasi ajo kishte arritur të merrte licencën e pilotit në moshën vetëm 17-vjeçare, kur ishte ende në shkollë të mesme. Në tetor 2023, Nathalia ishte bërë pjesë e mediave lokale për këtë arritje, pasi kishte mësuar të pilotonte përpara se të merrte edhe patentën e makinës.
Ajo kishte nisur mësimet e fluturimit në vitin 2020, ndërsa ishte ndihmuar edhe nga babai i saj, i cili e kishte pasion pilotimin. Formimi i saj u mbështet nga Akademia e Aviacionit e Distriktit Shkollor të Palm Beach County, e cila financoi licencën e saj private.
Sipas familjarëve, 20-vjeçarja kishte rreth 1,300 orë fluturimi dhe punonte si pilote profesioniste prej nëntë muajsh. Ajo ëndërronte të bëhej pilote e linjave ajrore komerciale.
Vetëm rreth 10 minuta para rrëzimit, Nathalia i kishte dërguar një mesazh të dashurit të saj, ku i tregonte se avioni po përballej me turbulenca dhe ngrirje. Nëna e saj, Camila, ka treguar për “New York Post” se ndihej krenare që vajza po jetonte ëndrrën e saj, por kishte frikë se një ditë pikërisht pasioni për fluturimin mund t'ia merrte.
Aksidenti ndodhi të dielën në Palm Beach County, ku avioni me nëntë persona në bord u rrëzua në një zonë të banuar. Asnjë prej personave që ndodheshin në avion nuk mbijetoi.