Brahim Demiri, 65-vjeçari i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e djalit të tij 27-vjeçar dhe mbesës vetëm 3-muajshe, është paraqitur këtë të hënë në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 1 nëntor në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku u gjetën të pajetë 27-vjeçari Adonis Demiri dhe vajza e tij e mitur.
Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, ndaj 65-vjeçarit është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa gjykata pritet të vendosë lidhur me këtë kërkesë.
Pavarësisht arrestimit, rrethanat e tragjedisë mbeten ende të paqarta. Policia dhe Prokuroria Themelore në Gjilan nuk kanë dhënë deri tani një shpjegim të plotë mbi mënyrën se si kanë humbur jetën babai dhe foshnja.
Ngjarja u zbulua mëngjesin e së dielës, rreth orës 08:47, kur autoritetet u njoftuan për dy persona pa shenja jete brenda një banese. Në vendngjarje mbërritën policia, prokurori dhe ekipet mjekësore, të cilat konstatuan vdekjen e tyre.
Trupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa rasti po hetohet si “Vrasje e rëndë”.
Hetimet vazhdojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes që tronditi Gjilanin. Deri në një vendim përfundimtar të drejtësisë, 65-vjeçari prezumohet i pafajshëm.