Shqipëria renditet e 47-ta në botë, rezultatet në lexim ngrenë shqetësime për arsimin

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 02.11.2026, 14:58

Shqipëria renditet në vendin e 47-të në botë për rezultatet e nxënësve 15-vjeçarë në shkencë, matematikë dhe lexim, duke kryesuar krahasimin me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Sipas renditjes së publikuar nga Visual Capitalist, bazuar në të dhënat e testimit ndërkombëtar PISA të OECD-së, Shqipëria ka grumbulluar mesatarisht 425.3 pikë në të tria fushat. Pas saj renditet Mali i Zi në vendin e 50-të me 421.3 pikë, Serbia në vendin e 51-të me 420.3 pikë, Maqedonia e Veriut në vendin e 73-të me 371.7 pikë dhe Kosova në vendin e 82-të me 349 pikë.

Sa i përket rezultateve sipas lëndëve, nxënësit shqiptarë kanë marrë mesatarisht 435 pikë në shkencë, 433 pikë në matematikë dhe 408 pikë në lexim. Kjo e fundit mbetet fusha më problematike, me 53 pikë më pak se mesatarja e OECD-së, e cila është 461 pikë. Në matematikë diferenca me mesataren e vendeve të OECD-së është 30 pikë, ndërsa në shkencë 47 pikë. Megjithëse Shqipëria shënon rezultatet më të mira në rajon, të dhënat tregojnë se nxënësit vijojnë të kenë vështirësi për të arritur nivelin mesatar të performancës së vendeve të zhvilluara.

Në krye të renditjes botërore dominojnë sistemet arsimore të Azisë Lindore, ku gjashtë vendet e para i përkasin këtij rajoni. Katër rajonet pjesëmarrëse të Kinës, Pekini, Shangai, Jiangsu dhe Zhejiang, kryesojnë me 578.7 pikë, të ndjekura nga Singapori me 552.7 pikë dhe Tajvani me 531.3 pikë. Në Europë, Estonia është më e renditura, në vendin e shtatë me 511.3 pikë, ndërsa SHBA pozicionohet e 16-ta me 485 pikë. Ndërkohë, Kroacia renditet e 34-ta me 461.3 pikë, duke lënë pas vendet e Ballkanit Perëndimor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit