Një ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi fshatin Demiraj të Gjilanit, familjarët kanë vendosur fotografinë e 27-vjeçarit Adonis Demiri dhe foshnjës së tij vetëm tre muajshe pranë banesës ku ndodhi tragjedia.
Në fotografinë prekëse, babai shfaqet duke mbajtur në krahë vogëlushen e tij, ndërsa familjarë, miq dhe të afërm janë mbledhur për t'u dhënë lamtumirën e fundit dhe për të ngushëlluar familjen.
Për vrasjen e dyfishtë është arrestuar Brahim Demiri, gjyshi i foshnjës dhe babai i 27-vjeçarit, i cili dyshohet për veprën penale të vrasjes së rëndë.
Megjithatë, ende mbetet e paqartë se si u vranë babai dhe foshnja e tij. Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Gjilan nuk kanë bërë publike detaje mbi mënyrën e kryerjes së krimit, mjetin e përdorur apo rrethanat që çuan në këtë tragjedi.
Familja ka hapur dyert për ngushëllime, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vazhdojnë.
Vdekja e 27-vjeçarit dhe foshnjës së tij ka shkaktuar tronditje të madhe në Gjilan, ndërsa pritet që autoritetet të sqarojnë rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.