Kompania “Myrto Security” merr 2 milionë € nga qeveria

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 02.11.2026, 11:40

Pavarësisht se në qershor të vitit 2026 iu hoq licenca për shkelje të rënda të konstatuara gjatë një përplasje, kompania private e sigurisë “Myrto Security” ka arritur të marrë një pjesë të majmë nga fondet publike. Institucioni i Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në Elbasan njoftoi pak ditë më parë lidhjen e kontratës me bashkimin e operatorëve “Juer Security” dhe “Myrto Security”, për shërbimin e ruajtjes fizike të ndërtesave, aseteve, personelit dhe pronave të OSSH-së e Furnizuesit të Shërbimit Universal në këtë qytet.

Procedura e hapur në gusht 2026 kapte një fond limit prej 184.735.036 lekësh të reja (rreth 1.99 milionë euro), ku kushti kryesor i pjesëmarrjes ishte pajisja me licencën 1.3 A , dokumenti zyrtar që i lejon kompanitë private të ofrojnë ruajtje fizike të objekteve dhe individëve. Absurdi i këtij tenderi qëndron pikërisht te ky kriter, pasi vetëm dy muaj më parë Policia e Shtetit i kishte hequr licencën “Myrto Security” pas ngjarjeve të rënda të regjistruara gjatë protestave.

Megjithatë, përmes një manovre ligjore, “Myrto Security” e kundërshtoi vendimin e heqjes së licensës në rrugë gjyqësore dhe siguroi një masë sigurimi padie, duke pezulluar heqjen e lejes dhe duke garuar lirisht në gusht 2026. Sot, e njëjta kompani që dështoi të zbatonte rregullat elementare të sigurisë dhe që u bë protagoniste e një prej ngjarjeve më makabre të dhunës, merr përsipër ruajtjen e aseteve strategjike shtetërore në Elbasan, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi ligjshmërinë e procedurës dhe mënyrën se si plotësohen kriteret në tenderët publikë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit