Një grabitje me armë zjarri është regjistruar në një filial të “Raiffeisen Bank”, në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, një person i maskuar ka hyrë në ambientet e bankës dhe, nën kërcënimin e armës, ka arritur të marrë një shumë parash.
Detaje të reja bëjnë me dije se autori, i cili kishte mbuluar fytyrën me një shall, i ka drejtuar armën në kokë një prej punonjësve të bankës, duke e kërcënuar për t'i dorëzuar paratë.
Pas realizimit të grabitjes, ai është larguar me shpejtësi nga vendngjarja, duke përdorur një monopatinë elektrike.
Ndërkohë, godina ku ndodhet filiali bankar është rrethuar nga forca të shumta policie, të cilat kanë mbërritur menjëherë pas sinjalizimit për ngjarjen. Uniformat blu po kryejnë veprimet hetimore dhe po mbledhin prova për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Deri në këto momente, nuk dihet ende shuma e parave të grabitura, identiteti i personit të dyshuar apo drejtimi në të cilin është larguar pas ngjarjes. Gjithashtu, nuk ka informacion zyrtar nëse ka persona të lënduar.
Policia pritet të japë detaje të mëtejshme në lidhje me rrethanat e grabitjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.