Pas zbulimit të mishit me myk, ELKOS tërheq nga tregu mbi 21 tonë produkte ushqimore.
Pas zbulimit të mijëra kilogramëve mish pule me myk, kompania ELKOS SH.P.K. ka tërhequr nga tregu edhe 21 mijë e 226 kilogramë produkte ushqimore, të cilat janë asgjësuar nën mbikëqyrjen e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Sipas njoftimit të AUV-së, asgjësimi është kryer më 30 tetor 2026, ndërsa në mesin e produkteve të tërhequra përfshihen kofshë dhe mushkëri pule, mish pule, mish i grirë, mish gjedhi dhe produkte të tjera ushqimore.
Kjo situatë vjen pas kontrolleve të mëparshme, gjatë të cilave inspektorët konstatuan praninë e mykut në 3,130 kilogramë kofshë pule të ngrira. Për këtë sasi, AUV kishte urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të shitjes, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin.
Megjithatë, kontrollet nuk kanë përfunduar. AUV ka bërë të ditur se procesi i gjurmimit dhe grumbullimit të produkteve të tjera vazhdon, veçanërisht për ato ku janë vërejtur ndryshime në cilësi, përfshirë praninë e mykut.
Institucioni ka paralajmëruar kontrolle të mëtejshme mbi dokumentacionin e importit, kushtet e ruajtjes dhe respektimin e zinxhirit të ftohjes.
Rasti ngre shqetësime serioze për sigurinë ushqimore dhe kontrollin e produkteve që përfundojnë në tryezat e qytetarëve të Kosovës.