Shumë prindër përballen me dilemën se kur është mosha e duhur për ta lënë fëmijën vetëm në shtëpi, qoftë edhe për disa minuta. Policia britanike ka dhënë sqarime lidhur me këtë çështje, duke theksuar se siguria dhe pjekuria e fëmijës janë më të rëndësishme sesa mosha e tij.
Sipas platformës zyrtare britanike “Ask The Police”, në Britaninë e Madhe nuk ekziston një moshë minimale e përcaktuar me ligj për ta lënë fëmijën vetëm në banesë. Megjithatë, prindërit duhet të sigurohen që fëmija është i aftë të kujdeset për veten dhe të reagojë në situata emergjente.
Organizata për mbrojtjen e fëmijëve NSPCC këshillon që fëmijët nën moshën 12-vjeçare të mos lihen vetëm në shtëpi, veçanërisht për periudha të gjata, pasi shpesh nuk kanë pjekurinë e nevojshme për të përballuar situata të papritura. Ndërkohë, foshnjat dhe fëmijët shumë të vegjël nuk duhet të lihen asnjëherë pa mbikëqyrje, qoftë edhe për pak minuta.
Për fëmijët nën 16 vjeç, organizata nuk rekomandon qëndrimin vetëm gjatë natës.
Ekspertët u sugjerojnë prindërve që, përpara se të marrin një vendim të tillë, t'i mësojnë fëmijët si të veprojnë në raste emergjente, t'u lënë numrat e telefonit dhe të sigurohen që ata ndihen të qetë dhe të sigurt.
Autoritetet britanike paralajmërojnë gjithashtu se prindërit mund të përballen me pasoja ligjore nëse lënia e fëmijës pa mbikëqyrje e ekspozon atë ndaj rrezikut apo dëmtimit të shëndetit.
Këto udhëzime vlejnë për Britaninë e Madhe dhe nuk përfaqësojnë automatikisht legjislacionin e Kosovës.
Po ju, në çfarë moshe mendoni se një fëmijë është gati të qëndrojë vetëm në shtëpi?