Tragjedia në Gjilan: Babai 65-vjeçar arrestohet pas vdekjes së djalit dhe foshnjës 3-muajshe, zbardhen detaje të reja

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 02.11.2026, 08:34

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me tragjedinë që ndodhi të dielën, më 1 nëntor, në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku një 27-vjeçar dhe foshnja e tij vetëm tre muajshe u gjetën të pajetë brenda banesës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se për këtë ngjarje është arrestuar babai 65-vjeçar i të riut, i cili dyshohet për përfshirje në rastin që tashmë po hetohet si “Vrasje e rëndë”.

Sipas informacioneve zyrtare, policia është njoftuar rreth orës 08:47 të mëngjesit të 1 nëntorit për dy persona pa shenja jete në një shtëpi në Demiraj. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë njësitet policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipet emergjente, të cilat kanë konstatuar vdekjen e 27-vjeçarit dhe foshnjës.

Nga hetimet paraprake dyshohet se ngjarja ka ndodhur brenda familjes. Me vendim të prokurorit, 65-vjeçari është ndaluar për 48 orë, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Në disa media kosovare është raportuar se 27-vjeçari dyshohet të ketë vrarë fillimisht foshnjën, ndërsa babai i tij më pas të birin. Megjithatë, kjo pistë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Policia apo Prokuroria.

Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, i cili pritet të ndihmojë në përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.

Për tragjedinë ka reaguar edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe ka kërkuar nga institucionet kompetente zbardhjen e plotë të rastit.

Ngjarja ka tronditur komunitetin, ndërsa motivi dhe rrethanat e sakta të vdekjes së dy viktimave mbeten ende nën hetim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit