Drilon Gashi, ish-këshilltari i Glauk Konjufcës gjatë kohës kur ky i fundit drejtonte Kuvendin e Kosovës, ka bërë një rrëfim prekës nga Gjermania, ku tashmë punon në ndërtim për të siguruar jetesën e familjes së tij.
Përmes një postimi në Facebook, 39-vjeçari ka treguar se pavarësisht viteve të gjata të studimit dhe përvojës profesionale, nuk ka arritur të gjejë një punë që t'i siguronte perspektivë ekonomike në Kosovë.
“Po ju shkruaj nga një Baushtellë ndërtimi në Gjermani. Jo për t’u viktimizuar, por për të treguar një të vërtetë që shumë shqiptarë e jetojnë në heshtje”, ka shkruar Gashi.
Ai ka treguar se rreth 25 vite të jetës ia ka kushtuar studimeve në teologji, filozofi dhe shkenca humane. Përveç angazhimit si këshilltar i kryetarit të Kuvendit, ka shërbyer edhe si imam dhe ka vazhduar studimet në psikoterapi.
Megjithatë, sipas tij, as shkollimi dhe as përvoja nuk i kanë mjaftuar për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme në vendlindje.
“Kam konkurruar në rreth 60 vende pune në Kosovë. Kam trokitur në dyer institucionesh, kompanish dhe njerëzish me ndikim. Kam përjetuar refuzime, premtime të pambajtura dhe zhgënjime të njëpasnjëshme”, ka deklaruar ai.
Gashi thotë se ka punuar edhe për paga prej 500 deri në 600 eurosh, në kushte ku, sipas tij, ndonjëherë mungonin edhe tualetet për punëtorët.
Me katër fëmijë, kredi bankare dhe përgjegjësi familjare, ai thotë se u detyrua të marrë rrugën e mërgimit. Sot, në Gjermani, punon duke vendosur pllaka dhe duke bartur materiale ndërtimi.
Ish-këshilltari thekson se nuk ka turp nga puna fizike, por shpreh zhgënjimin që vitet e investuara në arsimim nuk i kanë mundësuar një jetë dinjitoze në Kosovë.
“Nuk kërkoj që shteti të më japë punë pa meritë. Nuk kërkoj mëshirë. Kërkoj që puna të vlejë, merita të ketë kuptim dhe qytetari të mos ketë nevojë për ndërmjetës politik për t’u dëgjuar”, ka shkruar ai.
Në fund, Gashi u ka drejtuar pyetje institucioneve dhe qeverive të kaluara e aktuale për mungesën e mundësive të punësimit dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
“Unë ende e dua Kosovën. Ende dua të besoj në të. Por dashuria ndaj atdheut nuk duhet të na ndalojë t'ia themi të vërtetat që na dhembin”, përfundon ai.
Rrëfimi i tij rikthen në vëmendje sfidat e punësimit dhe emigrimit, me të cilat përballen shumë qytetarë të Kosovës.