Pas publikimit të lajmit për dënimin e 24-vjeçarit Pandeli Dervishi me 7 vite e 6 muaj burg në Britaninë e Madhe, redaksisë së JOQ Albania i është drejtuar vëllai i tij, i cili kundërshton vendimin e gjykatës dhe kërkon që të dëgjohet edhe versioni i familjes. Për këtë qëllim, ai ka vënë në dispozicion një video të kamerave të sigurisë, të cilën pretendon se është regjistruar në mbrëmjen e ngjarjes.
Në pamjet e dërguara shihet vajza duke pritur në korridorin pranë hyrjes së tualeteve, ndërsa pak çaste më vonë afrohet Pandeli Dervishi. Ajo e pret, e përqafon dhe nis ta puthë, ndërsa të dy shkëmbejnë puthje për disa momente. Sipas vëllait të 24-vjeçarit, këto pamje tregojnë se afrimi mes tyre ka qenë i ndërsjellë dhe kundërshtojnë versionin e ngjarjes mbi të cilin u dënua i vëllai. Megjithatë, regjistrimi nuk tregon se çfarë ka ndodhur më pas brenda tualetit.
Për rrjedhojë, këto pamje nuk mund të përcaktojnë vetë nëse ka pasur apo jo pëlqim për veprimet seksuale për të cilat Dervishi u shpall fajtor. Redaksia nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur origjinën, datën dhe autenticitetin e materialit.
Një nga argumentet kryesore të familjarit lidhet me moshën e vajzës. Ai pretendon se Pandeliu nuk kishte dijeni se ajo ishte 17 vjeçe dhe kishte menduar se ishte mbi 18 vjeç, pasi lokali ku ndodheshin lejonte hyrjen vetëm të personave madhorë.
Për këtë arsye, ai ngre pikëpyetje mbi kontrollet e sigurisë në hyrje të lokalit dhe kërkon të sqarohet se si një e mitur është lejuar të frekuentojë një ambient që, sipas tij, kishte kufizim moshe +18. Sipas familjarit, përgjegjësia duhet të shqyrtohet edhe në raport me personelin e sigurisë dhe administrimin e lokalit.
Në videon e dërguar në redaksi, vëllai i Pandeliut shkon edhe më tej, duke pretenduar se vajza ka bërë akuza të pavërteta me qëllim përfitimin financiar nga shteti britanik. Ai nuk paraqet prova të pavarura për këtë pretendim, por këmbëngul se i vëllai është dënuar padrejtësisht.
Familjari kërkon gjithashtu reagimin e institucioneve shqiptare për rastin, duke shprehur shqetësimin për mënyrën se si trajtohen qytetarët shqiptarë që përballen me procese penale jashtë vendit.
Çfarë dihet nga hetimi dhe procesi gjyqësor?
Sipas raportimeve të mediave britanike dhe Policisë së Leicestershire, ngjarja ndodhi më 1 tetor 2025, në një pub në zonën The Newarke të Leicesterit. Autoritetet bënë me dije se vajza kishte denoncuar se ishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale orale në ambientet e tualetit.
Gjatë hetimit, policia shqyrtoi pamjet e kamerave të sigurisë, provat forenzike dhe materialet digjitale. Në shkurt të vitit 2026, Dervishi u akuzua zyrtarisht për përdhunim, por nuk iu përgjigj thirrjes së autoriteteve dhe u shpall në kërkim.
Pas një kërkimi që zgjati rreth dy muaj, ai u lokalizua më 16 prill në zonën e Guildford, në Surrey, teksa drejtonte një automjet tip "Mazda". Sipas policisë, u ndalua pasi kishte kaluar me semafor të kuq dhe më pas u identifikua si personi i kërkuar.
Në përfundim të procesit gjyqësor në Gjykatën e Kurorës në Leicester, juria e shpalli fajtor, ndërsa më 29 tetor 2026 u dënua me 7 vite e 6 muaj burg.
JOQ Albania po përcjell edhe pretendimet e familjarit, i cili kërkon që versioni i tij të dëgjohet publikisht. Publikimi i materialit të sjellë prej tij nuk përbën konfirmim të pretendimeve dhe as rrëzon vendimin e drejtësisë britanike.