Mosha është thjesht një numër për Toshisuke Kanazawa, një bodybuilder japonez 90-vjeçar, i cili vazhdon të merret me sportin e tij të preferuar dhe të sfidojë atletë shumë më të rinj se vetja.
Kanazawa udhëtoi drejt qytetit bregdetar Santa Susanna në Spanjë, ku të premten mori pjesë në një kompeticion ndërkombëtar të bodybuilding-ut, të organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Fitnesit dhe Bodybuilding-ut (IFBB). Ai garoi në kategorinë e veteranëve, ku përballë kishte sportistë të moshës 50 vjeç e lart.
Para se të dilte në skenë, 90-vjeçari ndoqi të njëjtën rutinë përgatitore si konkurrentët e tjerë: u nxeh me ekipin e tij dhe aplikoi nxirësin artificial, përpara se të ekspozonte fizikun nën dritat e skenës.
Sekretin e jetëgjatësisë dhe formës fizike ai ia atribuon kryesisht regjimit ushqimor japonez, të cilin e ndjek prej dekadash. Dieta e tij përfshin oriz kaf, natto (sojë të fermentuar) dhe supë miso.
Edhe pse këtë herë nuk arriti të renditej në podium, Kanazawa nuk ka ndërmend të heqë dorë. Ai po mendon të marrë pjesë edhe një herë në garë në moshën 93-vjeçare, përpara se të tërhiqet përfundimisht nga kompeticionet.
Përmes shembullit të tij, 90-vjeçari shpreson të motivojë edhe të moshuarit e tjerë që të qëndrojnë aktivë, të kujdesen për trupin dhe të mos heqin dorë nga pasionet e tyre, pavarësisht moshës.