Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjilanin mëngjesin e kësaj të diele, ku një 27-vjeçar dhe një foshnjë janë gjetur pa shenja jete në një shtëpi në fshatin Demiraj.
Policia e Kosovës ka arrestuar një 65-vjeçar, i cili dyshohet se ka vrarë djalin e tij dhe mbesën foshnjë.
Arrestimin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili ka bërë të ditur se pas veprimeve fillestare hetimore, rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”.
Sipas policisë, njoftimi për dy trupat e pajetë është marrë rreth orës 08:47.
Në vendngjarje kanë dalë njësitet policore, prokurori dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e dy viktimave.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 65-vjeçari është ndaluar për 48 orë, ndërsa trupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie familjare vijojnë, ndërsa motivet dhe rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.