Një 24-vjeçar shqiptar është dënuar me 7 vite e 6 muaj burg në Britaninë e Madhe, pasi u shpall fajtor për përdhunimin e një vajze 17-vjeçare në ambientet e tualetit të një pub-i në Leicester.
Sipas medias britanike “Daily Express”, bëhet fjalë për Pandeli Dervishin, i cili kreu sulmin seksual më 1 tetor 2025, në një lokal në zonën e The Newarke. Gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën e Kurorës në Leicester u bë e ditur se ai e kishte detyruar të miturën të kryente marrëdhënie seksuale orale.
Pas ngjarjes, policia nisi hetimet dhe shqyrtoi pamjet e kamerave të sigurisë, si dhe materialet digjitale të mbledhura. Fillimisht, 24-vjeçari u la i lirë në pritje të vijimit të hetimeve.
Në shkurt të vitit 2026, Dervishi u akuzua zyrtarisht për përdhunim, por nuk iu përgjigj thirrjes së policisë dhe u shpall në kërkim. Për rreth dy muaj, autoritetet britanike punuan për lokalizimin e tij, duke gjurmuar lëvizjet përmes të dhënave telefonike dhe informacioneve financiare.
Këto të dhëna i drejtuan hetuesit drejt zonës së Guildford, në Surrey. Në orët e para të 16 prillit, shqiptari u pikas teksa drejtonte një automjet tip “Mazda” të bardhë në rrugën A320 Woking Road. Pasi kaloi me semafor të kuq, ai u ndalua nga policia dhe u arrestua.
Pas përfundimit të procesit gjyqësor, Gjykata e Kurorës në Leicester e dënoi Pandeli Dervishin me 7 vite e 6 muaj burg. Vendimi u shpall të enjten, më 29 tetor 2026.