Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë të pazakontë të hasur në zonën e Pishave, në Bulqizë, ku dy persona të veshur me uniformë policie ndalonin automjetet që qarkullonin në rrugë.
Sipas denoncuesit, dy personat lëviznin me një automjet privat, pa shenja identifikuese të Policisë së Shtetit, dhe dilnin nga krahu i kundërt i rrugës për të ndaluar drejtuesit e mjeteve. Qytetari pretendon se ndalimet kryheshin pa vendosur kone sinjalizuese dhe në një segment ku kishte vijë të pandërprerë.
Ai tregon se edhe vetë është ndaluar prej tyre. Personat i kanë kërkuar emrin, por nuk i kanë dhënë asnjë shpjegim për arsyen e ndalimit dhe as nuk i kanë komunikuar ndonjë shkelje. Përkundrazi, pasi e kanë pyetur si quhej, i kanë thënë thjesht: "Ik, ik".
Ajo që e ka shtuar edhe më shumë dyshimin e qytetarit është fakti se, sipas tij, personat largoheshin me nxitim dhe futeshin menjëherë në automjetin privat.
Denoncuesi ngre pikëpyetje edhe për identitetin e tyre, pasi nuk e di nëse bëhej fjalë për efektivë policie apo persona të tjerë të veshur me uniformë. Ai shton se kishte dëgjuar se Policia Rrugore ishte tërhequr nga kontrollet në rrugë, ndaj prania e tyre në këto kushte i është dukur edhe më e çuditshme.
JOQ Albania kërkon një sqarim nga Policia e Shtetit: Kush ishin dy personat që ndalonin automjetet në zonën e Pishave në Bulqizë? A ishin efektivë të autorizuar dhe, nëse po, përse kontrollet kryheshin me një automjet privat dhe në këto kushte?