Dy vite nga tragjedia e Novi Sadit që solli ‘kapitullimin’ e Vuçiç

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 01.11.2026, 14:33

Serbia përkujton sot dyvjetorin e tragjedisë së rëndë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku më 1 nëntor 2024, shembja e një strehe betoni shkaktoi vdekjen e 16 personave. Ngjarja që tronditi vendin u kthye në pikënisjen e një vale të gjerë protestash, të cilat më pas morën përmasa kombëtare dhe sfiduan autoritetet serbe.

Aktivitetet përkujtimore kanë nisur me një marshim të heshtur nga kampusi universitar drejt stacionit hekurudhor. Në krye të marshimit janë studentët, të cilët mbajnë 16 kurora me lule, një për secilën prej viktimave. Ndërkohë, qytetarë të shumtë janë mbledhur pranë vendit të tragjedisë për të ndezur qirinj dhe për të vendosur lule në kujtim të personave që humbën jetën. Në mesditë është parashikuar edhe tubimi qendror përkujtimor.

Shembja e strukturës së betonit, e cila ndodhi vetëm tre muaj pas përfundimit të punimeve të rinovimit të stacionit, shkaktoi zemërim të madh në opinionin publik. Qytetarët kërkuan zbardhjen e plotë të përgjegjësive dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, duke ngritur akuza për korrupsion dhe mungesë transparence në projektet publike.

Protestat e udhëhequra nga studentët u përhapën me shpejtësi në të gjithë Serbinë. Në ditët e para, ato u shoqëruan me bllokime të përditshme të rrugëve dhe 16 minuta heshtje, në nderim të viktimave të tragjedisë.

Presioni i vazhdueshëm qytetar solli edhe pasoja në skenën politike. Në janar 2025, kryeministri i atëhershëm serb, Miloš Vučević, dha dorëheqjen, ndërsa dy muaj më vonë Beogradi u përfshi nga një prej demonstratave më të mëdha kundër qeverisë në dekadat e fundit, ku morën pjesë qindra mijëra qytetarë.

Me kalimin e kohës, lëvizja studentore e kapërceu dimensionin e protestës dhe mori edhe një karakter politik. Kjo u materializua në krijimin e të ashtuquajturës “Lista e Studentëve”, ku u përfshinë akademikë, shkencëtarë dhe përfaqësues të botës së kulturës, me kërkesa që në qendër kishin luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës në institucionet publike.

Dy vite pas shembjes së strehës së betonit, 16 viktimat vijojnë të jenë në qendër të një lëvizjeje që e shndërroi dhimbjen dhe kërkesën për drejtësi në një nga zhvillimet më të rëndësishme shoqërore dhe politike të Serbisë në vitet e fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit