Rrjeti kriminal i furrave të bukës/ Biznesmeni grek kapet teksa tentonte të arratisej drejt Shqipërisë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 01.11.2026, 13:59

Një biznesmen i njohur në Greqi, pronar i rrjetit të furrave të bukës “Horiatiko”, ka përfunduar në prangat e policisë në Janinë. 59-vjeçari dyshohet se po përgatitej të largohej drejt Shqipërisë, në përpjekje për t’iu shmangur hetimeve që autoritetet greke po zhvillojnë ndaj një organizate të dyshuar kriminale me aktivitet në disa zona të vendit.

Bëhet fjalë për Angelos Giannakopoulos, i njohur me nofkat “Babi” dhe “Shefi”, emri i të cilit është përfshirë në një hetim dhjetëmujor të Drejtorisë për Luftimin e Krimit të Organizuar në Greqi. Hetuesit dyshojnë se ai dhe personat e tjerë të përfshirë kanë ndërtuar një skemë të gjerë që lidhet me evazionin fiskal, pastrimin e parave dhe mashtrimin me kontratat e prokurimeve publike.

Sipas mediave greke, deri më tani janë arrestuar 59 persona, ndërsa në dosjen hetimore figurojnë 149 të dyshuar. Dyshohet se grupi përdorte një rrjet të përbërë nga dhjetëra kompani, disa prej të cilave dyshohet se ishin krijuar vetëm në letra, me qëllim fshehjen e transaksioneve financiare dhe shmangien e detyrimeve tatimore.

Nga furrat e bukës te klubet e natës dhe administrimi i plazheve

Hetimet kanë nxjerrë në pah se interesat e biznesmenit nuk kufizoheshin vetëm te rrjeti i furrave “Horiatiko”. Përmes kompanive të ndryshme, aktiviteti dyshohet se ishte shtrirë edhe në klube nate, lokale striptizmi, hotele dhe bare plazhi.

Një nga rastet që ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve lidhet me ishullin e Rodosit. Sipas hetuesve, katër kompani të lidhura me rrjetin administronin 28 plazhe, ndërkohë që kishin krijuar detyrime të papaguara mbi 850 mijë euro ndaj bashkisë dhe kompanisë shtetërore të administrimit të pronave. Pavarësisht borxheve, kontratat përkatëse nuk ishin ndërprerë nga autoritetet lokale.

Në hetim edhe zyrtarë policie dhe administrate

Një tjetër pistë e rëndësishme e hetimit lidhet me dyshimet për përfshirjen e personave brenda strukturave shtetërore. Sipas dosjes, punonjës policie dhe zyrtarë të administratës publike në Athinë, Rodos dhe Mykonos dyshohet se kanë ndihmuar aktivitetin e grupit, duke i siguruar mbrojtje ose duke nxjerrë informacione konfidenciale.

Dyshimet për rrjedhje informacioni kanë vështirësuar edhe punën e hetuesve. Giannakopoulos dyshohet se kishte marrë vesh që në muajin maj se ishte vendosur nën përgjim. Ndërkohë, pak orë përpara kontrolleve përfundimtare të policisë, disa prej bashkëpunëtorëve të tij dyshohet se tentuan të fshinin të dhënat elektronike dhe serverat në selinë e kompanive në Athinë. Ndërhyrja e policisë bëri të mundur që provat të mos zhdukeshin.

Dhurata luksoze në këmbim të favoreve?

Përgjimet e kryera gjatë hetimit kanë zbuluar gjithashtu biseda për blerjen e dhuratave me vlerë të lartë, mes tyre parfume dhe produkte kozmetike të markës së njohur “Yves Saint Laurent”. Sipas dyshimeve të hetuesve, këto dhurata mund të ishin përgatitur për zyrtarë shtetërorë, në këmbim të favoreve dhe lehtësive administrative.

Autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha lidhjet e dyshuara të këtij rrjeti, për të identifikuar personat e përfshirë dhe për të përcaktuar përgjegjësinë penale të secilit prej tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit