Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Domaj të Hasit, në Shqipëri, ku një 46-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti me mjet sportiv.
Viktima është identifikuar si Albert Qoqaj, i cili ndërroi jetë më 31 tetor, pasi u përfshi në një aksident në livadhet e fshatit Domaj.
Sipas raportimeve të mediave kosovare, në të njëjtin aksident ka mbetur i plagosur edhe vëllai i viktimës, Valon Qoqaj.
Lajmi i hidhur është bërë i ditur edhe përmes një mesazhi ngushëllimi të publikuar nga faqja “Hasi Heroik”, ku janë shprehur ngushëllime për familjen Qoqaj, të afërmit dhe miqtë e të ndjerit.
Humbja e 46-vjeçarit ka sjellë reagime të shumta ngushëllimi, ndërsa për vëllain e tij të plagosur janë përcjellë urime për shërim të shpejtë.
Ende nuk janë bërë të ditura rrethanat e plota të aksidentit që i mori jetën kosovarit.