Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në Kukës, ku një automjet ka dalë nga rruga, duke lënë të plagosur dy persona. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:50, në vendin e njohur si “Lugina e Drinit të Zi”.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti drejtohej nga një 66-vjeçar me inicialet K. V., i cili dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë, kanë mbetur të dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri, një 21-vjeçar me inicialet I. V.
Fatmirësisht, të dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, grupi hetimor po vijon punën për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.