Qytetarët e disa zonave të Kosovës do të përballen sot me ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të punimeve të planifikuara nga KEDS. Ndërprerjet prekin kryesisht Prishtinën, Fushë Kosovën dhe Mitrovicën, ndërsa në disa zona pritet të zgjasin deri në nëntë orë.
Sipas njoftimit të KEDS, punimet po realizohen për mirëmbajtjen e rrjetit, përmirësimin e sigurisë së furnizimit dhe zbatimin e projekteve investive.
Në Prishtinë, nga ora 09:00 deri në 18:00, është planifikuar ndërprerja e energjisë në një pjesë të rrugëve “Fehmi Agani” dhe “Luan Haradinaj”, si dhe në zonën e Qeverisë së Kosovës.
Shkak është konvertimi i rrjetit nga tensioni 10 kV në 20 kV. Ndërkohë, në Lagjen e Spitalit ndërprerja është parashikuar nga ora 10:00 deri në 15:30, për shkak të shtrirjes dhe energjizimit të kabllove.
Në Fushë Kosovë, nga ora 10:30 deri në 15:30, ndërprerje do të ketë në Albanë të Madhe, për shkak të punimeve për vendosjen e kabllove të reja. Në rrugën “Hashim Hajdini”, ndërprerja është planifikuar nga ora 09:30 deri në 12:30, për shkak të ndërrimit të njehsorëve elektrikë.
KEDS ka njoftuar gjithashtu ndërprerje të shkurtra nga ora 07:30 deri në 08:00 në disa pjesë të Fushë Kosovës, përfshirë rrugët “Bedri Pejani”, “Ilaz Kodra”, “Vëllezërit Fazliu” dhe disa zona të tjera. Në Mitrovicë, punimet prekin Shupkovcin, Kçiqin e Vogël dhe Kçiqin e Madh. Për këto zona janë parashikuar ndërprerje në dy termine nga ora 09:00 deri në 10:00, ndërsa në një pjesë të Kçiqit të Madh punimet janë planifikuar në intervalin 09:00–15:00. Sipas KEDS, këto ndërhyrje janë të domosdoshme për sigurinë dhe funksionimin e rrjetit elektrik.
Ndërprerjet e paralajmëruara vijnë gjatë ditës së shtunë, më 31 tetor, duke prekur banorë, biznese dhe institucione në zonat e përfshira në planin e punimeve.