Skandal pas skandali me “Apetit”: AUV zbulon salmonelë në mishin e pulës të importuar nga Brazili

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 30.10.2026, 21:26

Një tjetër rast shqetësues për sigurinë ushqimore është zbuluar në Kosovë. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar praninë e bakterit të rrezikshëm Salmonella Minnesota në mishin e ngrirë të pulës të importuar nga Brazili nga kompania “Apetit SHPK”.

Pas rezultateve të analizave laboratorike, AUV ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të shitjes dhe tërheqjen nga tregu të produkteve të identifikuara, për shkak të rrezikut që mund të paraqesin për shëndetin e konsumatorëve.

Sipas njoftimit, produktet ku është konstatuar bakteri janë:

– Coopavel, origjina Brazil, SIF 3887, LOT R-14427. – Superfrango, origjina Brazil, SIF 3404, LOT R20598.

AUV u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë blerë mish pule me këta numra të LOT-it të mos e konsumojnë, por ta kthejnë në pikat ku e kanë blerë.

Bakteri Salmonella Minnesota mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale, ndërsa rreziku ekziston edhe gjatë përgatitjes së ushqimit, përmes kontaminimit të enëve, duarve dhe sipërfaqeve të kuzhinës.

Ky rast vjen vetëm pak ditë pas raportimeve të tjera që kanë përfshirë kompaninë “Apetit”. Më herët, emri i kësaj kompanie ishte përmendur edhe në rastin e mbi 103 tonëve mish viçi të ngrirë të ndaluar nga autoritetet e Malit të Zi, për shkak të dyshimeve lidhur me afatet e përdorimit dhe parregullsitë në etiketim. Një ngarkesë prej 24 tonësh raportohej se ishte e destinuar për kompaninë “Apetit SHPK”.

Ndërkohë, AUV ka nisur verifikimin e të gjithë sasisë së mishit të importuar, për të zbuluar se ku janë shpërndarë produktet dhe sa prej tyre mund të kenë përfunduar te konsumatorët.

Agjencia ka paralajmëruar se, në varësi të rezultateve të kontrolleve dhe vlerësimit të rrezikut, produktet mund t'i nënshtrohen edhe asgjësimit.

Rasti ngre shqetësime serioze për kontrollin e ushqimeve të importuara dhe sigurinë e produkteve që përfundojnë në tavolinat e qytetarëve të Kosovës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit