Sot, një pjesë e mirë e atyre që deri dje e shihnin Erion Veliajn si trashëgimtarin e padiskutueshëm të pushtetit në Partinë Socialiste duken të tronditur. Befas, qarqet politike dhe opinioni publik u gjendën përballë narrativës se kreu i mazhorancës e ka shpallur ish-aleatin e tij "armik të partisë", duke e akuzuar për financim të lëvizjeve që synojnë të lëkundin themelet e një pushteti që mburret me 83 mandate.
Përse kjo kthesë politike nuk përbën asnjë surprizë dhe pse nuk ka vend për keqardhje?
Nuk mund të ketë keqardhje për një figurë politike qartësisht oportuniste, që ka derdhur çdo pikë energjie për të betonuar dhe çimentuar pushtetin e një autokrati. Nuk ka pse të ndjehet keqardhje për një profil që është treguar i pamëshirshëm, arrogant dhe thellësisht përçmues me çdo qytetar të thjeshtë që i doli përpara në këtë rrugëtim.
Kujtesa publike nuk mund të fshijë kurrë dhunën institucionale dhe gjuhën e urrejtjes që ai përdori ndaj shoqërisë. Çdokush e mban mend se si, në vend të mbështetjes, u çonte policët bashkiakë për të persekutuar gratë dhe nënat e moshuara fshatit që dilnin të shisnin dy prodhime bujqësore në rrugë për të siguruar bukën e gojës, ndërkohë që nga ana tjetër nuk duronte dot asnjë zë apo media kritike, duke i sulmuar me furi gazetarët dhe çdo hapësirë që guxonte t'i nxirrte në pah dështimet.
E njëjta arrogancë u pa edhe në raport me shoqërinë, kur nuk hezitonte t'i etiketonte burrat dhe moshën e tretë si “zdromsa” apo të frustruar që ditën e kalojnë me bixhoz e alkool, thjesht sepse nuk i nënshtroheshin propagandës së tij.
Etiketimet e fundit se “Veliaj është armiku i ri” zbulojnë një të vërtetë të hidhur: pesha e tij reale politike për të lëkundur fronin e Ramës është praktikisht zero.
Ajo që po ndodh është thjesht zbatimi i një ligji të pashmangshëm të autokracive. Autokratët kanë nevojë periodike për të prerë koka brenda oborrit të tyre për të garantuar mbijetesën. Kjo nuk është domosdoshmërisht shenjë dobësie; përkundrazi, është një ritual ripërtëritjeje politike pa të cilin ky lloj pushteti do të vetëshkatërrohej. Nga këto dinamika të pashmangshme janë frymëzuar dikur që nga Homeri e Virgjili deri te tragjedianët më të mëdhenj të antikitetit.
Në fund, memoria politike nuk mund të fshihet. Nuk bëhet fjalë për të gjykuar nëse ajo që po i ndodh Veliajt është apo jo e drejtë në çdo detaj, por për të mos harruar rolin e tij të drejtpërdrejtë në ndërtimin e këtij mekanizmi.
Në politikë, faturat e arrogancës dhe të shërbimit të verbër nuk vonojnë të vijnë. Cilido që ndihmon me vetëdije në ngritjen dhe lubrifikimin e gijotinës për të tjerët, nuk mund të çuditet kur një ditë e gjen veten nën tehun e saj, duke paguar çmimin e një sistemi që vetë ndihmoi ta bënte kaq të pamëshirshëm.