Policia greke ka zbardhur vrasjen e një 80-vjeçari, e ndodhur më 24 korrik në lagjen Galatsi të Athinës. Për ngjarjen është arrestuar 48-vjeçari shqiptar Ilian Kola, i dyshuar si autor i krimit.
Sipas mediave greke, Kola e njihte viktimën dhe e vizitonte herë pas here në banesë, ku i kryente punë të ndryshme kundrejt shumave të vogla parash.
Nga hetimet dyshohet se 48-vjeçari kishte hyrë në banesën e të moshuarit me qëllim grabitjen, por e kishte mbytur atë. Trupi i viktimës u gjet mëngjesin e 25 korrikut, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore përcaktoi se ai kishte humbur jetën si pasojë e strangulimit.
Hetuesit identifikuan të dyshuarin pas analizimit të provave të mbledhura në vendngjarje, ndërsa më 29 tetor u ekzekutua urdhër-arresti ndaj tij.
Sipas raportimeve, Ilian Kola dyshohet gjithashtu për përfshirje në një sërë vjedhjesh dhe veprash të tjera penale. Ai raportohet se është ndaluar më shumë se 20 herë nga policia greke që prej vitit 2019.
48-vjeçari është dërguar përpara prokurorit grek, ndërsa mediat shqiptare raportojnë se gjykata ka vendosur ta lërë në burg deri në shqyrtimin e çështjes.