Protestat për vrasjen e Arlinda Zekajt kanë vazhduar edhe këtë të premte në Prishtinë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur për të tretën ditë radhazi për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.
Protestuesit janë grumbulluar në sheshin e kryeqytetit, duke kërkuar që vrasja e grave dhe dhuna ndaj tyre të trajtohen si urgjencë kombëtare dhe jo si raste të izoluara.
Gjatë ditës, protestuesit janë mbledhur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj institucioneve për mënyrën se si trajtohen rastet e dhunës ndaj grave.
Protestat organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.
Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime dhe protesta, ndërsa qytetarët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për viktimën dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave nga dhuna.