Shpërthimi i godinës i mori jetën 3 shqiptarëve: Arrestohet bashkombasi, grabiti tubat e gazit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 30.10.2026, 13:33

Shqiptari Kolian Ilia është një nga tre personat e arrestuar në Greqi, të dyshuar për përfshirjen në shpërthimin e fuqishëm që tronditi lagjen Plaka të Athinës më 25 shtator, ku humbën jetën gjashtë persona, tre prej të cilëve shqiptarë.

Së bashku me Ilian janë arrestuar edhe dy shtetas grekë, përkatësisht 37 dhe 55 vjeç. Sipas dyshimeve të hetuesve grekë, tre personat kanë ndërhyrë në sistemin e furnizimit me gaz të një ndërtese, me qëllim vjedhjen e tubave të bakrit.

Kjo ndërhyrje dyshohet se ka dëmtuar tubacionin, duke shkaktuar rrjedhjen e gazit natyror. Gazi është grumbulluar brenda godinës dhe, disa orë më vonë, ka shkaktuar një shpërthim të fuqishëm.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 25 shtatorit, në rrugën Lysikratous, ku shpërthimi shkaktoi shembjen e ndërtesës dhe la pas gjashtë viktima.

Mes tyre ishin edhe tre shqiptarët Florin Hoxha, motra e tij Florida Hoxha dhe Eris Cani, bashkëshortja e Florinit e cila ishte shtatëzënë.

Tre të arrestuarit pritet të dalin gjatë ditës së sotme para gjykatës, ku do të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj tyre.

Ata përballen me akuza të rënda, mes të cilave zjarrvënie, shkaktim të shpërthimit me pasoja fatale dhe vrasje me dashje eventuale. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë që u mori jetën gjashtë personave, mes tyre edhe tre shqiptarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit