Qytetari denoncon ndërtimin e pallatit pranë banesës: Po na futen brenda në shtëpi

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 30.10.2026, 12:37

Një qytetar nga Durrësi i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë që, sipas tij, po u kthehet në shqetësim të përditshëm banorëve të zonës, për shkak të punimeve për ndërtimin e një pallati shumëkatësh pranë banesave të tyre.

Qytetari thotë se, pavarësisht denoncimit të bërë më herët, punimet vijojnë deri në orën 23:00, duke i detyruar banorët të përballen me zhurmën e shpimeve, trapanëve dhe kamionëve që hyjnë e dalin nga kantieri. Ai shprehet se zhurmat janë të padurueshme dhe se banorët nuk mund të privohen nga qetësia edhe në orët e vona të natës.

Por shqetësimi i tij nuk lidhet vetëm me zhurmat. Sipas denoncimit, pallati që po ndërtohet parashikohet të jetë 15 deri në 20 kate, ndërsa distanca nga banesat ekzistuese është vetëm rreth 5-6 metra. Qytetari pretendon se një largësi e tillë bie ndesh me rregullat e ndërtimit dhe kërkon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë lejen dhe dokumentacionin e objektit.

Ai shton se hapësira në fjalë shërbente më parë si rrugë dhe parkim për banorët e lagjes, ndërsa tashmë, sipas tij, po betonizohet duke u lënë gjithnjë e më pak hapësirë publike.

Banori ngre pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si po zhvillohen punimet dhe kërkon transparencë për ligjshmërinë e projektit, distancat e respektuara dhe oraret e lejuara të punës.

Përmes JOQ Albania, ai u bën thirrje institucioneve përgjegjëse dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit që të dalin në terren, të verifikojnë dokumentacionin e ndërtimit dhe të marrin masa nëse konstatohen shkelje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit