Vendim i rëndësishëm për shoferët në Kosovë: Policia nuk mund t’ua mbajë patentën më shumë se 8 ditë!

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 30.10.2026, 11:38

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë një vendim të rëndësishëm për të gjithë drejtuesit e automjeteve, duke vendosur se Policia nuk ka të drejtë t’ua mbajë përkohësisht patentë-shoferin qytetarëve për më shumë se tetë ditë.

Vendimi erdhi pas padisë së 28 qytetarëve kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, të cilët kundërshtuan dispozitat që lejonin mbajtjen e patentës deri në përfundimin e masës së ndalimit të drejtimit të automjetit.

Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 3 të nenit 17 të Udhëzimit Administrativ Nr. 05/2023, duke konstatuar se kjo dispozitë binte ndesh me ligjin për rregullat e trafikut rrugor.

Sipas vendimit, Policia nuk mund ta mbajë fizikisht patentë-shoferin për tre, gjashtë apo dymbëdhjetë muaj, pasi ligji lejon mbajtjen e përkohshme të dokumentit për maksimumi tetë ditë.

Megjithatë, kthimi i patentës nuk do të thotë se shoferi mund të rikthehet menjëherë në timon. Nëse ndaj tij është shqiptuar masë ndalimi e drejtimit të automjetit, ajo vazhdon të mbetet në fuqi deri në përfundimin e afatit të caktuar.

Supremja ka theksuar se asnjë udhëzim administrativ nuk mund t'i japë Policisë kompetenca më të gjera sesa ato që përcaktohen me ligj.

Ky vendim pritet të ndikojë në mënyrën se si Policia e Kosovës administron patentë-shoferët e qytetarëve ndaj të cilëve shqiptohen masa për kundërvajtje në trafik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit