Një lajm i rëndë ka tronditur Mitrovicën, ku 41-vjeçari Berat Asllani ka ndërruar jetë pas pesë ditësh në gjendje të rëndë, si pasojë e një aksidenti me motoçikletë.
Aksidenti kishte ndodhur në rrugën “Ahmet Selaci”, në lagjen Bajr të Mitrovicës. Pas përplasjes, 41-vjeçari ishte dërguar pa vetëdije në Spitalin e Mitrovicës, ku ishte konstatuar se kishte pësuar gjakderdhje në tru. Për shkak të gjendjes së rëndë, ai ishte transferuar me urgjencë në QKUK.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, Berati nuk arriti t'u mbijetojë plagëve të marra.
Mësohet se i ndjeri ishte vëllai i aktorit të njohur kosovar, Agan Asllani, i cili ka ndarë lajmin e dhimbshëm përmes një postimi prekës në rrjetet sociale.
“Me dhimbje të thellë dhe zemër të thyer, por me besim të plotë në caktimin e Allahut, njoftoj familjarët, miqtë dhe dashamirët se sot u nda nga jeta vëllai ynë i dashur, Berat Asllani”, ka shkruar aktori.
Familja Asllani ka bërë të ditur se për kohën dhe vendin e ceremonisë së varrimit do të njoftojë në vijim.
JOQ Kosova i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Asllani, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën Beratin. U prehtë në paqe! ️