Një çift amerikan shiti shtëpinë dhe makinat për të realizuar ëndrrën e pensionit: të kalonte vitet e ardhshme duke udhëtuar nëpër botë me një anije luksoze. Por aventura mori një kthesë të papritur, pasi kompania që operonte anijen njoftoi pezullimin e udhëtimeve dhe u kërkoi rreth 200 pasagjerëve të zbrisnin në Kamboxhia.
Lynn dhe Paul Montoya kishin blerë një kabinë me vlerë 179 mijë dollarë në anijen “Villa Vie Odyssey”, ndërsa paguanin rreth 6 mijë dollarë në muaj për tarifat e qëndrimit. Pas 17 muajsh në det, çifti u përball me pasigurinë për të ardhmen dhe mundësinë që të mos i rikuperojë paratë e investuara.
Sipas Paulit, problemet financiare të kompanisë ishin bërë të dukshme prej muajsh. Ai tha se banorëve u ishte kërkuar të kontribuonin me më shumë para, madje edhe të jepnin hua për blerjen e karburantit. Ndërkohë, cilësia e ushqimit kishte rënë dhe në Kamboxhia ata mbetën pa internet.
Kompania “Villa Vie Residences” deklaroi se po përpiqet të ristrukturohet dhe të sigurojë kapital të ri, por deri më tani nuk ka konfirmuar ndonjë marrëveshje përfundimtare. Ajo nuk u është përgjigjur pyetjeve të Reuters për situatën.
Çifti thotë se nuk pret t'i marrë mbrapsht paratë e humbura dhe planifikon të qëndrojë për një periudhë në Malajzi, duke përdorur fondet që kishte llogaritur për pagesat mujore të anijes.
Megjithatë, Lynn shprehet se, përtej humbjes financiare, do t'i mungojë më shumë komuniteti që krijuan gjatë udhëtimit dhe vendet e jashtëzakonshme që patën mundësinë të vizitonin.