Prokurorja e rastit të Donjeta Pajazitajt emërohet U.D. kryeprokurore në Pejë, reagon vëllai: 11 vite pa drejtësi!

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 29.10.2026, 21:27

Emërimi i Valbona Disha-Haxhosajt si ushtruese e detyrës së Kryeprokurores në Pejë ka ngjallur reagime, pasi ajo ishte prokurore në rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt, një çështje që edhe pas 11 vitesh vazhdon të mbetet pa një autor të dënuar.

Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i Donjetës, ka reaguar publikisht ndaj këtij emërimi, duke shprehur zhgënjimin dhe mosbesimin e tij ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Sipas tij, në vend që institucionet të japin përgjigje për vrasjen e motrës së tij, prokurorja që kishte trajtuar rastin është ngritur në një pozitë drejtuese.

Ai ka kërkuar transparencë dhe llogaridhënie, duke ngritur pyetjen se kush do të mbajë përgjegjësi për 11 vitet e pritjes së familjes për drejtësi.

Kujtojmë se Valbona Disha-Haxhosaj kishte ngritur aktakuzë ndaj Naser Pajazitajt më 8 qershor 2017, duke e akuzuar për vrasjen e Donjetës.

Pas një procesi të gjatë gjyqësor, të shoqëruar me vendime të ndryshme, përfshirë edhe dënimin me burgim të përjetshëm, Gjykata Supreme në prill të vitit 2023 e liroi përfundimisht Naser Pajazitajn nga akuza për vrasje, për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme.

Edhe sot, familja Pajazitaj vazhdon të kërkojë të vërtetën dhe drejtësi për Donjetën.

Ndërsa rasti mbetet pa një autor të dënuar, emërimi i prokurores në një detyrë më të lartë ka rikthyer në vëmendje pyetjet për funksionimin dhe llogaridhënien e sistemit të drejtësisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit