Italia përgatitet për protesta në mbi 50 qytete: Mijëra të rinj pritet të dalin në rrugë, mobilizohet edhe ushtria

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 29.10.2026, 19:53

Italia përgatitet për një ditë të gjerë mobilizimi këtë të premte, më 30 tetor, me protesta të planifikuara në mbi 50 qytete. Studentë, punonjës dhe aktivistë pritet t’u bashkohen manifestimeve të thirrura nga sindikata USB, kundër rritjes së kostos së jetesës, shpenzimeve ushtarake dhe masave që organizatorët i konsiderojnë represive ndaj protestuesve.

Në prag të protestave, ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi ka deklaruar se autoritetet janë të vetëdijshme për rreziqet e mundshme, por beson se strukturat e policisë do të arrijnë të menaxhojnë situatën. Planet për garantimin e rendit publik po përgatiten pas përplasjeve të regjistruara në Milano gjatë javëve të fundit.

Një nga çështjet që ka shtuar tensionet është ndalimi i aktivistit Youssef Siher, i lidhur me lëvizjen “Movimento 17 ottobre”. Ai u lirua më 28 tetor, pasi gjyqtarja nuk gjeti bazë të mjaftueshme për të konfirmuar ndalimin dhe vijimin e qëndrimit të tij në burg. Vendimi ka nxitur reagime të ndryshme, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.

Ndërkohë, organizatorët synojnë të bashkojnë në rrugë studentët, punonjësit dhe grupet sociale që kundërshtojnë politikat ekonomike të qeverisë së Giorgia Melonit. Në disa qytete janë parashikuar tubime pranë stacioneve, shesheve qendrore dhe institucioneve publike.

Autoritetet po përgatiten për një ditë të ngarkuar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse manifestimet do të zhvillohen pa incidente apo do të shoqërohen me përplasje të reja mes protestuesve dhe policisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit