“Na hedhin ushqimet dhe pakot në plehra”/ Emigrantët denoncojnë bllokimin e dërgesave në doganën e Ankonës, gjobat deri në 12 mijë euro

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 29.10.2026, 19:33

Një denoncim i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania ngre shqetësimin për bllokimin dhe sekuestrimin e dërgesave që familjarët në Shqipëri nisin drejt Italisë për të afërmit e tyre emigrantë.

Sipas denoncimit, situata është përkeqësuar gjatë rreth 7 muajve të fundit në doganën italiane të Ankonës, ku pako me ushqime, produkte tradicionale, sende personale dhe mallra të ndryshme po ndalohen nga autoritetet doganore.

Në videot e dërguara në redaksi shihen çanta, kuti kartoni, shishe me vaj, ushqime dhe sende të ndryshme të shpërndara pranë kontejnerëve. Në pamjet e tjera, punonjës të doganës shfaqen duke hedhur qese me produkte ushqimore dhe sende të dërguara nga Shqipëria në një kosh të madh mbeturinash.

Denoncuesit pretendojnë se ky transport është kryer prej rreth katër vitesh pa probleme të ngjashme, ndërsa prej muajsh kontrollet janë ashpërsuar. Sipas tyre, përveç sekuestrimit të mallrave, janë vendosur edhe gjoba që variojnë nga 1,000 deri në 12,000 euro.

Dërgesat, sipas denoncimit, përmbajnë produkte dhe sende që familjarët në Shqipëri ua nisin të afërmve të tyre që jetojnë e punojnë në Itali. Bllokimi ose asgjësimi i tyre u shkakton humbje materiale si familjeve që i dërgojnë, ashtu edhe emigrantëve që i presin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit