Transferimi i Erion Veliajt në burgun e Fierit paska ndezur një valë të jashtëzakonshme emocionesh në politikën shqiptare. Këtë herë, në rolin e avokatit të shqetësuar u shfaq Halit Valteri, i cili kërkoi që çështja të diskutohet edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Me një solemnitet që do t’i shkonte më shumë një ceremonie përkujtimore sesa një mbledhjeje të këshillit, Valteri shprehu shqetësimin për transferimin e papritur të Veliajt, kushtet e paraburgimit dhe madje edhe gjendjen e tij shëndetësore.
Kërkoi verifikime, ndërhyrje institucionale, respektim të të drejtave dhe vlerësim të nevojave shëndetësore. Sipas tij, Veliaj paska edhe këmbën në allçi. Një detaj që, me sa duket, e bën dramën edhe më të plotë.
Tani, që të mos keqkuptohemi: të drejtat e një të paraburgosuri duhen respektuar, pavarësisht se kush është dhe çfarë akuzash përballet. Por ajo që të bën përshtypje është se si, sa herë një figurë e rëndësishme politike gjendet në vështirësi, papritur shfaqen kaq shumë zëra të shqetësuar, deklarata solemne dhe thirrje për ndërhyrje.
Madje, çështja po kërkon hapësirë edhe në Këshillin Bashkiak, aty ku qytetarët presin të dëgjojnë zgjidhje për problemet e Tiranës. Me këtë ritëm, herën tjetër në rendin e ditës mund të përfshihet edhe menuja e drekës në burg, që të mos mbetet asnjë shqetësim pa u trajtuar.
Drama është në maksimum, fjalët janë të mëdha dhe skenari po bëhet gjithnjë e më interesant. Mungojnë vetëm muzika prekëse në sfond dhe titrat: “Një kryebashkiak larg shtëpisë, një këshilltar me zemër të thyer dhe një qytet që pret të mbarojë episodi”.
Të paktën, për këtë serial politik nuk ka nevojë të paguash abonim. E ke falas, çdo ditë, me paratë e taksapaguesve.