Një qytetar nga Elbasani i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë shqetësuese, duke dërguar një video ku shihen shtëllunga të dendura tymi të zi që ngrihen në ajër nga një aktivitet pranë autostradës së re, në zonën përgjatë lumit Shkumbin, ku po ndërtohet Korridori VIII.
Sipas denoncuesit, kjo situatë nuk është e rastësishme, por përsëritet çdo natë dhe çdo ditë, duke ngritur shqetësime për cilësinë e ajrit që thithin banorët e zonës. “O JOQ, na mbytën këtu në Elbasan. Çdo natë kështu kërcet tymi”, shkruan qytetari, duke kërkuar publikimin e pamjeve.
Burimi i tymit dhe aktiviteti që e shkakton atë nuk janë konfirmuar ende, ndaj mbetet e paqartë se çfarë lëndësh çlirohen në ajër dhe nëse bëhet fjalë për emetime që tejkalojnë normat e lejuara.
Shqetësimi vjen në një kohë kur ndotja e ajrit në Elbasan mbetet një problem i dokumentuar. Sipas të dhënave të raportuara nga mediat në bazë të raportit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2025, përqendrimi mesatar i grimcave PM10 në stacionin e monitorimit në Elbasan ka tejkaluar kufirin vjetor të lejuar.
Banorët meritojnë të dinë se çfarë po çlirohet në ajrin që thithin. Institucionet përgjegjëse të mjedisit duhet të verifikojnë burimin e tymit, të kryejnë matje të emetimeve dhe të sqarojnë nëse aktiviteti përmbush standardet mjedisore.
JOQ Albania mbetet e hapur për reagimin e kompanisë që ushtron aktivitetin në atë zonë dhe të institucioneve përgjegjëse.