Bordi i Transparencës është treguar “bujar” me drejtuesit e automjeteve, duke ulur çmimin maksimal të naftës me plot 1 lek për litër. Sipas vendimit të ri, nafta do të shitet me pakicë deri në 212 lekë për litër, nga 213 lekë që ishte më parë. Një ulje që vështirë se do të bëjë ndonjë ndryshim të ndjeshëm në xhepat e qytetarëve, të cilët përballen çdo ditë me kostot e larta të karburantit.
Ndërkohë, benzina ka pësuar një ulje më të konsiderueshme, nga 190 në 181 lekë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të jetë 169 lekë për litër.
Pra, ndërsa benzina ulet me 9 lekë, për naftën Bordi ka vendosur të bëjë një “sakrificë” prej vetëm 1 leku për litër. Një vendim që vjen në një kohë kur qytetarët kërkojnë lehtësim të kostove dhe çmimet e karburanteve mbeten një shqetësim i përditshëm. Me këtë ritëm, për të ndier një ulje të konsiderueshme të çmimit të naftës, shoferëve u duhet të presin edhe për shumë vendime të tjera të Bordit.