Nga dhuna mbi trotuar te "lutjet" për drejtësi, historia po ia kthen faturën Erion Veliajt në mënyrën më paqësore, por edhe më ironike të mundshme. Trotuari i Tiranës nuk harron, e aq më pak harron memoria kolektive e një qyteti që për vite me radhë pa se si "shteti" i Veliajt zbatohej me egërsi vetëm mbi më të dobëtit. Sot, kur i njëjti njeri ankohet për procese politike, kërkon maturi e lutet për drejtësi, është e pamundur të mos të kujtohet se si e ndërtoi dhe e ushqeu pushtetin e tij: mbi terrorin e përditshëm ndaj bukës së gojës së njerëzve të pafuqishëm.
Aksionet e pamëshirshme të Policisë Bashkiake kundër të moshuarve mbeten një nga njollat më të errëta të drejtimit të tij. Efektivët e tij hidheshin mbi gra e burra të thyer në moshe që nxirrnin në rrugë një tufë spinaq apo pak perime për të siguruar ilaçet e muajit, duke u rrëmbyer arkat, duke u sekuestruar mallin e duke i larguar me dhunë sikur të ishin kriminelët më të rrezikshëm. Për atë gjyshe që qante mbi trotuar nuk kishte as edhe pikë mëshire. Për të pafuqishmit, Bashkia e Tiranës kishte vetëm gjoba, sekuestrime dhe arrogancë administrative, ndërsa kryetari pozonte i buzëqeshur në Instagram duke e shitur dhunën si "vendosje të rendit".
Sot rrota e fatit ka rrotulluar gjërat me një përpikmëri të frikshme. Ai që dikur urdhëronte apo arsyetonte marrjen e qindarkave të fundit të më të pashpresëve, sot ndodhet vetë përballë dyerve të drejtësisë, i mbytur nga dosjet e korrupsionit të bashkëpunëtorëve të tij më të afërt dhe hetimeve për paratë publike. Sot Veliaj nuk flet më me gjuhën e arrogancës dhe as me forcën e pushtetarit absolut, por kërkon mbrojtje nga po ai sistem që vetë e përdori si shkop ndaj qytetarëve të thjeshtë.
Kjo rënie nuk është thjesht një zhvillim politik apo juridik, por një mësim i madh moral mbi peshën e karmës dhe pasojat e arrogancës. Kush tallet me lotët e një të moshuari që i merret buka e gojës në trotuar, herët a vonë përballet me po atë egërsi që vetë e ushqeu. Buka e marrë me forcë atëherë nga policia e tij sot po i kthehet në një faturë të papërballueshme morale e politike, sepse pushteti i ngritur mbi shtypjen e të dobëtve shkrihet gjithmonë si kripa në ujë kur vjen dita e llogaridhënies.